Dhimbja nuk i ndali nga arti. Leonardo da Vinci, Michelangelo, Pierre-Auguste Renoir dhe Paul Klee janë katër artistët e mëdhenj, historitë e të cilëve dëshmojnë për fuqinë e krijimtarisë përballë kufizimeve të shkaktuara nga sëmundjet, shkruan salute.eu.
Historia e tyre vjen përmes dokumentarit “A Soul in Struggle”, prezantuar së fundmi nga Fondacioni Botëror i Sklerodermisë (World Scleroderma Foundation), në Lido të Venecias. Përmes inteligjencës artificiale, filmi rikthen në jetë figurat e artistëve për të ndërgjegjësuar publikun mbi skleroderminë dhe sëmundjet e tjera reumatologjike.
Dokumentari sjell imazhe të Leonardo da Vinçit duke pikturuar me duart e fashuara dhe të Michelangelo-s duke punuar me daltë mbi mermer, pavarësisht dhimbjeve që i shkaktonin vështirësi në lëvizje. Deri në fund të jetës, Michelangelo vazhdoi të punonte për veprën e tij të fundit, “Pietà Rondanini”.
Edhe Renoir, i cili vuante nga artriti që e detyroi të përdorte karrige me rrota, nuk hoqi dorë nga piktura. Ndërsa Paul Klee vazhdoi të krijonte vepra artistike edhe pas diagnostikimit me sklerodermi.
Megjithatë, për Leonardo da Vinçin, Michelangelo-n dhe Renoir-in nuk ekzistojnë studime shkencore që vërtetojnë se ata vuanin nga sëmundje reumatologjike. Të dhënat historike, dëshmitë dhe dokumentet biografike ofrojnë disa të dhëna, por nuk përbëjnë prova përfundimtare mjekësore.
Rasti i Renoir-it është më i dokumentuar. Sipas të dhënave biografike, problemet e tij me artritin nisën rreth moshës 50-vjeçare dhe u përkeqësuan ndjeshëm pas vitit 1903. Në moshën 70-vjeçare, sëmundja e kishte kufizuar rëndë fizikisht. Një fotografi e vitit 1896 tregon qartë ënjtjen e nyjeve të duarve të tij.
Ndërsa Paul Klee mori diagnozën e sklerodermisë, një sëmundje e rrallë dhe kronike që mund të prekë lëkurën, organet e brendshme dhe duart, duke vështirësuar edhe veprimet më të thjeshta të përditshme. Artisti ndërroi jetë më 29 qershor 1940, pesë vjet pas diagnostikimit, ndërsa sëmundja kishte ndikuar në lëvizshmërinë e gishtave dhe funksionin e mushkërive.





