Vlera neto e aseteve të fondeve të investimeve arriti rreth 71.24 miliardë lekë në fund të qershorit të këtij viti, duke shënuar ulje me 6,448 milionë lekë ose 8.30%, krahasuar me fundin e vitit 2021. Ekspertët shpjegojnë se rënia e vlerës së aseteve neto lidhet me normat e interesit në treg. Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu dominohet kryesisht nga investimet në obligacione qeveritare, të cilat përbëjnë 66.31% të aseteve të fondeve, me një zbritje prej 4.77% krahasuar me 31.12.2021. Krahas vlerës së aseteve edhe numri i anëtarëve shënoi rënie gjatë kësaj periudhe. Të dhënat tregojnë se numri i anëtarëve që kanë investuar në fondet e investimit deri në fund të muajit qershor është 39,856 me një zbritje prej 0.49% krahasuar me fundin e muajit dhjetor të vitit 2021. Gjatë periudhës janar-qershor 2022, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre njëmbëdhjetë fonde investimi. Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, “Raiffeisen Invest Euro”, “Raiffeisen Vizion” dhe “Raiffeisen Mix” të administruara nga shoqëria “Raiffeisen Invest” sh.a, fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest” sh.a, fondi “WVP Top Invest” dhe fondi “WVP GLOBAL” administrohet nga shoqëria “WVP Fund Management Tirana sh.a”, fondi i investimeve “Albsig Standard” nën administrimin e shoqërisë administruese “Albsig Invest” sh.a, fondi “ABI EIA”, “ABI FLEX EURO”, “ABI FLEX USD”administrohet nga shoqëria “ABI Invest” sh.a.https://ata.gov.al/2022/08/25/fondet-e-investimeve-vlera-e-aseteve-bie-me-8/
Fondet e investimeve, vlera e aseteve bie me 8 %
RELATED ARTICLES