Bujqësia mbetet një sektor kryesor për ekonominë e vendit dhe zhvillimi i saj po përparon sot, në shumë drejtime. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, paralelisht politikave mbështetjes për zhvillimin e saj po orienton bujqësinë edhe drejt digjitalizimit. Sipas MBZHR-së, fermerët kanë nevojë sot edhe për qasje të shpejtë dhe akses në të dhëna për të adresuar çështjet në terren. “Portali i fermerit, është projekti më i ri që i ndihmon fermerët të marrin informacionin e nevojshëm në kohën e duhur dhe të mund të përmirësojnë rendimentet, zvogëlojnë humbjet dhe sigurojnë që prodhimi të dërgohet në tregun e duhur dhe të shitet me një çmim më të favorshëm”, shprehen ekspertët e bujqësisë. Gjithashtu informimi digjital, theksojnë ata, në të njëjtën kohë mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjurmimit të produkteve nga ferma tek konsumatori, gjë që mund të rrisë sigurinë ushqimore si dhe të ndihmojë blerësit të njohin vlerën ushqyese të asaj që po blejnë. Bujqësia po kalon një transformim digjital, por kjo kërkon kohë. Në fakt, shumë investitorë në bujqësi po vërejnë që investimet e tyre janë më pak të suksesshme me mënyrën tradicionale të operimit në stade të ndryshme të aktiviteteve bujqësore. Dhe ndërsa përparimet masive në makineri dhe teknologji gjatë gjysmëshekullit të fundit kanë rritur produktivitetin, ndryshimet klimatike dhe rritja e popullsisë kërkojnë prodhim gjithnjë e më të lartë. Gjatë sezonit të kultivimit, shumica e fermerëve janë të fokusuar në fushë, pra në terrenin prodhues, dhe jo të lidhur me një kompjuter apo aplikacion elektronik. Por për të marrë vendimet më të mira për fermat e tyre, ata kanë nevojë për qasje në të dhëna të shpeshta që janë të zbatueshme dhe të lehta për t’u përdorur. Bujqësia digjitale mund të ndihmojë që praktikat e tyre të jenë më fitimprurëse dhe më miqësore me mjedisin në të njëjtën kohë. Bujqësia digjitale shtrihet edhe në blegtori, gjë që mund të mundësojë mirëqenien dhe shëndetin e kafshëve. Tashmë, fermerët e qumështit në shumë vende të botës përfshijnë bujqësinë digjitale në praktikat e menaxhimit. Programet e menaxhimit të ushqimit, programi i regjistrimeve të qumështit, matësit e qumështit, pedometrat dhe shiritat digjital të përtypjes, të përdorura për të monitoruar përtypjen e ushqimit, janë të zakonshme në fermat e qumështit. ATSH
Digjitalizimi i bujqësisë në fokus të politikave të MBZHR
RELATED ARTICLES