Sipas një deklarate të delegacioneve të BE-së sot, rregullat për sistemet e inteligjencës artificiale që paraqesin rreziqe të caktuara nuk pritet të hyjnë në fuqi deri në dhjetor të vitit 2027, rreth 16 muaj më vonë nga sa ishte parashikuar, sipas një deklarate të delegacioneve të BE-së të premten.

Në nëntor, Komisioni Evropian kishte propozuar shtyrjen e afatit për t’u dhënë kompanive që zhvillojnë AI më shumë kohë për të zbatuar kërkesat e reja. Fillimisht, Zyra Evropiane për Inteligjencën Artificiale pritej të fillonte zbatimin e disa rregullave që në gusht.

Megjithatë, përpara se ndryshimet në ligj të hyjnë në fuqi, shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian duhet ende të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

Akti Evropian për Inteligjencën Artificiale përcakton detyrime për zhvilluesit e sistemeve si ChatGPT dhe Gemini, përfshirë kërkesa mbi mënyrën se si trajnohen modelet e tyre.

Komisioni Evropian e ka paraqitur këtë akt si legjislacionin e parë në botë të këtij lloji. Pas skandalit me imazhe të seksualizuara të gjeneruara nga chatbot-i Grok në platformën X të Elon Musk, ligji pritet gjithashtu të ndryshohet për të ndaluar krijimin e përmbajtjeve seksuale ose intime pa pëlqimin e personave të përfshirë, si dhe çdo përmbajtje që përfshin abuzim seksual të fëmijëve.