Sipas projekt-rregullores, kufizimi do të zbatohet për miratimet e para të Agjencisë Federale të Punësimit. Rruga e punësimit përmes kësaj skeme lejon marrjen e një vize pune edhe për profesione që nuk kërkojnë domosdoshmërisht një diplomë të njohur profesionale ose universitare.
Vendimi është kundërshtuar nga Agjencia Federale e Punësimit, e cila më 16 tetor kërkoi ruajtjen e kuotës aktuale prej 50 000 miratimesh në vit. Sipas të dhënave të saj, në shtator 2026 rreth 546 000 shtetas të vendeve të Ballkanit Perëndimor punonin në Gjermani në vende pune që i nënshtrohen sigurimeve shoqërore.
Agjencia argumenton se kuota ekzistuese nuk ka qenë e mjaftueshme për të përballuar kërkesat dhe paralajmëron se përgjysmimi mund të vështirësojë rekrutimin e punonjësve, veçanërisht në ndërtim, transport, logjistikë, gastronomi dhe kujdes shëndetësor.
Qeveria gjermane synon që, përmes kufizimit, vendet e lira të punës t’u ofrohen në radhë të parë personave të disponueshëm në tregun vendas të punës. Ndërkohë, shtetasit e vendeve të prekura do të vijojnë të kenë mundësi të tjera ligjore për punësim në Gjermani, përfshirë skemat e posaçme për punonjësit e kualifikuar.





