Sipas AZHBR-së, mbështetja financiare po shpërndahet në vijim të zbatimit të skemës, e cila synon të mbështesë fermerët dhe aktivitetin e tyre bujqësor në të gjithë vendin.

Agjencia bën të ditur se autorizimi i pagesave ka vijuar dhe se kalimi i fondeve në llogaritë bankare të përfituesve mbetet një proces në zhvillim.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi është një instrument i rëndësishëm për përkrahjen financiare të fermerëve, duke synuar lehtësimin e aktivitetit të tyre prodhues, nxitjen e zhvillimit të fermave dhe forcimin e sektorit bujqësor.

Përmes kësaj mbështetjeje synohet të kontribuohet në rritjen e qëndrueshmërisë së prodhimit vendas dhe zhvillimin e bujqësisë në të gjithë territorin e vendit.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 adreson një fond fillestar prej 5,2 miliardë lekësh për 12 masa mbështetëse, nga të cilat nëntë për pagesa direkte dhe tri për investime në sektorin bujqësor. Në këtë skemë këtë vit u regjistruan 42 728 kërkesa aplikimi nga fermerët në shkallë vendi. Skema përfshin mbështetjen për blegtorinë, bletarinë, fermat organike, kontrollin biologjik, certifikimin GlobalG.A.P., sipërfaqet e mbjella dhe sektorin e peshkimit, si dhe investimet për fermerët e rinj, ndërtimin e staneve dhe mekanizimin bujqësor.