Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi sot se ribashkimi i Tajvanit me Kinën është një mision historik që do të realizohet patjetër, duke bërë thirrje për një zgjidhje paqësore, por duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të qeverisë tajvaneze, sipas Reuters.
“Rrjedha e historisë nuk mund të ndalet. Ribashkimi i plotë i atdheut duhet të realizohet dhe patjetër do të realizohet”, deklaroi Xi gjatë një ceremonie në Pekin, me rastin e 160-vjetorit të lindjes së Sun Jat Senit, figurës revolucionare që ndihmoi në përmbysjen e dinastisë së fundit perandorake kineze në vitin 1911.
Xi theksoi se zgjidhja e çështjes së Tajvanit është një mision historik i palëkundur i Partisë Komuniste Kineze. Ai përsëriti mbështetjen për politikën e “ribashkimit paqësor” dhe modelin “një vend, dy sisteme”, duke deklaruar se Pekini është i gatshëm të zhvillojë bisedime me Tajvanin mbi bazën e parimit të një Kine të vetme.





