Pogradeci ka nisur përgatitjet për sezonin veror 2024. Fakti që sezoni i kaluar solli një numër të konsiderueshëm vizitorësh dhe turistësh ka bërë që këtë vit puna nga bashkia dhe operatorët turistikë të nisë më shpejt. Bashkia e këtij qyteti ka nisur pastrimin e vijës bregliqenore e cila sipas kryebashkiakut Ilir Xhakolli nuk pastrohej prej shumë vitesh, ndërkohë që krahas pastrimit do të ketë edhe zgjerim të hapësirave publike.
Mimoza Shuli operatore hoteliere në Pogradec shprehet se kërkesat kanë filluar tashmë, dhe për herë të parë në Pogradec ka prenotime nga Meksika ndërsa vijojnë prenotimet edhe nga Europa. Duket se problem kryesor me të cilin do të përballen të gjitha njësitë e shërbimit në vend do të jenë burimet njerëzore edhe pse siç thonë operatorët për kërkesat e punës tashmë vendos punëmarrësi dhe jo punëdhënësi. Pogradeci e mbylli vitin e kaluar me mbi 440 mijë vizitorë dhe turistë ndërkohë që këtë vit pritshmëritë janë edhe më të larta sa i takon flukseve turistike por edhe kohëzgjatjes së sezonit i cili pritet të zgjasë edhe më shumë se vitet e kaluara. RTSH