Sipas raportit, transporti hekurudhor i mallrave arriti në 17 milionë ton-kilometër gjatë vitit të kaluar, ndërsa subjektet private realizuan 88% të transportit të matur në ton dhe 92,7% të tij në ton-kilometër. Pjesa e subjekteve shtetërore ishte 7,3% e transportit të matur në ton-kilometër.

Mallrat e transportuara përmes hekurudhës përbëheshin kryesisht nga qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, që zunë 88% të totalit. Lëndët e para të ricikluara, mbetjet e ngurta bashkiake dhe mbeturinat e tjera përbënin 11,6%, ndërsa metalet bazë dhe produktet metalike të fabrikuara zinin 0,4%.

Rrjeti hekurudhor në shfrytëzim në Shqipëri arrin në 253,1 kilometra dhe përfshin linjat Durrës–Elbasan, Kufi–Gjorm, Fier–Vlorë dhe Rrogozhinë–Fier. Gjatësia e rrjetit ka mbetur pothuajse e pandryshuar gjatë viteve 2023–2025.

Ndërkohë, transportin hekurudhor për udhëtime e përdorën 4146 pasagjerë gjatë vitit 2025, me një rënie prej 46,4% krahasuar me vitin paraardhës. Raporti evidenton gjithashtu se gjatë vitit të kaluar nuk u kryen importe apo eksporte përmes hekurudhës.