Sipas raportit, në vend rezultuan 1 048 092 mjete rrugore me status aktiv dhe të çregjistruar përkohësisht, nga 959 226 në vitin 2024. Autoveturat përbëjnë pjesën më të madhe të tyre, me 80,8% të totalit, të ndjekura nga motorët me 6,1% dhe automjetet për transport të përzier me 5,8%.
Rritje ka shënuar edhe shkalla e motorizimit. Në vitin 2025, Shqipëria kishte 360,6 autovetura për 1 000 banorë, nga 326,1 në vitin 2024 dhe 290 në vitin 2023. Sipas INSTAT, rritja e këtij treguesi pasqyron zgjerimin e numrit të autoveturave në raport me popullsinë.
Në infrastrukturën rrugore, gjatësia e rrjetit nën administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) arriti në 3667,2 kilometra. Pjesën më të madhe e zënë rrugët interurbane dytësore, me 2421,2 kilometra, të ndjekura nga rrugët lokale me 675,9 kilometra dhe rrugët interurbane kryesore me 521,1 kilometra. Rrjeti përfshin gjithashtu 49 kilometra autostrada.
Dendësia e rrjetit rrugor arriti në 12,8 kilometra për 100 kilometra katrorë sipërfaqe, nga 12,5 kilometra në vitin 2023, duke mbetur e pandryshuar krahasuar me vitin 2024.
Një tjetër tregues pozitiv lidhet me lëvizjen e pasagjerëve nëpërmjet transportit rrugor. Numri i hyrjeve dhe daljeve në pikat kufitare tokësore arriti në 28 421 891 gjatë vitit 2025, me një rritje prej 6,5% krahasuar me vitin paraardhës. Pika kufitare e Morinës përballoi 39,4% të lëvizjeve gjithsej të pasagjerëve në kufijtë tokësorë.
Sa u përket karakteristikave të automjeteve, marka “Mercedes-Benz” zë pjesën më të madhe të mjeteve rrugore të regjistruara në vend, me 18%, e ndjekur nga “Volkswagen” me 16,7%. Ndërkohë, autoveturat me moshë 11–20 vjet përbëjnë 45,7% të numrit të përgjithshëm të autoveturave.
Të dhënat e INSTAT tregojnë zgjerim të flotës së mjeteve rrugore dhe rritje të lëvizjes së pasagjerëve në pikat kufitare tokësore gjatë vitit 2025.





