Dashuria për qytetin dhe historinë e ndërtimit të qytetit të minatorëve ka bashkuar qytetarët në iniciativën e bashkisë Memaliaj për hapjen e muzeut “Miniera e qymyrgurit”. Kryetari i bashkisë së Memaliajt, Albert Malaj u shpreh se, “miniera e qymyrgurit në Memaliaj është një ndër minierat më të mëdha të qymyrgurit në Shqipëri. Këtë pasuri të rëndësishme ekonomike që identifikon bashkinë tonë, kemi menduar ta përjetësojmë edhe me ngritjen e një muzeu”. Sipas tij, në muzeun “Miniera e qymyrgurit” do të ekspozohen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme përgjatë viteve të punës në minierë dhe këtij fondi po i shtohen edhe shumë objekte të grumbulluara falë bashkëpunimit me komunitetin. Bashkia ka ftuar të gjithë qytetarët, bizneset dhe çdo të interesuar që disponon të tjera sende, objekte, fotografi të kësaj periudhe, të bëhet pjesë e nismës për hapjen e muzeut, duke i dhuruar ato. Miniera e Memaliajt u shndërrua në një qendër të rëndësishme industriale jo vetëm për rrethin e Tepelenës, por edhe për të gjithë vendin. Ajo nxirrte 28% të sasisë së qymyrit në shkallë vendi. Vendburimi i qymyrit në Memaliaj është zbuluar gjatë Luftës së Parë Botërore nga gjeologët Austro-Hungarezë, Italianë e Francezë. Qymyri i kësaj miniere në krahasim me fushat qymyrgurore të Ballkanit ka pasur fuqi kalorifike relativisht të lartë, çka e dallonte për këtë veçori të cilësisë të lartë. Pas vitit 2000 janë privatizuar disa sektorë të kësaj miniere ku prodhohet 25 mijë ton qymyrguri.