Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare po merr vëmendje çdo ditë e më shumë nga institucionet përkatëse. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar momente pune gjatë restaurimit të veprave të artit në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Berat ku specialistët po kryejnë procesin e pastrimit dhe restaurimit të dy ikonave; “Krishti kryejerark mbi fron”, me autor Gjergj Joan Çetitin (Grabova) dhe “Krishti kryeprift”. “Mjeshtrit e Laboratorit të Restaurimit të Veprave të Artit në Qendrën Kombëtare të Muzeumeve në Berat vazhdojnë çdo ditë punën për të nxjerrë në dritë shenjtorët, që presin dekadash të çlirohen nga pluhuri dhe shtresëzimet që u ka veshur koha”, tha Margariti. Ministrja Margariti bëri të ditur se pas restaurimit ikonat do të ekspozohen në Muzeun “Onufri”. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.