Tuesday, November 26, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE“Luajmë dhe vallëzojmë”,atmosferë festive në Durrës

“Luajmë dhe vallëzojmë”,atmosferë festive në Durrës

Fëmijë nga vendet e rajonit e më gjerë u mblodhën në fundjavë në qytetin bregdetar të Durrësit për edicionin e 26-të të festivalit ndërkombëtar “Luajmë dhe Vallëzojmë”. Të veshur me kostumet tradicionale të vendeve të tyre fëmijët krijuan një atmosferë festive për dy ditë me radhë në sheshin “Liria” në Durrës. Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky festival, ku fëmijët shpalosën përpara artdashësve të shumtë më të mirën e folklorit nga vendet që ata kishin ardhur. “Durrësi është kthyer jo vetëm në kryeqytetin e turizmit, por edhe atë të fëmijëve që vijnë nga vende të ndryshme. Qindra fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, Rumania, Bullgaria, Ukraina, Kirgistani etj, shpalosën folklorin e tyre nëpërmjet lojërave, këngëve e valleve popullore në sheshin “Liria” përpara qytetarëve dhe turistëve të shumtë që vizitojnë Durrësin”, tha Sako. Edicioni i 26 i festivalit “Luajmë dhe Vallëzojmë” solli në Durrës vlerat më të mira folkloristike të vendeve të rajonit e më gjerë, si pasuri e çmuar kombëtare e popujve. Tradita e bukur e krijuar nga ky festival, të organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës vazhdon të mbledhë çdo vit në qytetin 3000-vjeçar me qindra fëmijë nga shtete të ndryshme të botës, të cilët shpalosin para artdashësve më të mirën nga folklori i vendeve nga vijnë. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments