Bordi i Transparencës së Çmimit të Karburanteve vendosi sot që çmimi i shitjes së naftës me pakicë të jetë 174 lekë/litër. Në vendimin e Bordit thuhet se, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë, jo më shumë se 174 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 162 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë, jo më shumë se 177 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 165 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 66 lekë/litër me pakicë dhe i shitjes me shumicë 54 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 81 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 28 prill, ora 18:00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.