Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMILigji i ri i pagave në Shqipëri

Ligji i ri i pagave në Shqipëri

Qeveria publikoi për konsultim publik projektligjin e ri “Për përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”. Ky projektligj synon miratimin e kuadrit rregullator në lidhje me përcaktimet dhe kompetencat në fushën e pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike. Përmes këtyre rregullimeve qeveria parashikon pagesa konkurruese me tregun privat për disa kategori në fusha apo nënfusha prioritare të zhvillimit të vendit. Aktualisht, kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve janë të përcaktuara në ligjin nr. 10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”. Në relacionin që shoqëron p/ligjin thuhet se gjatë periudhës së zbatimit të tij, nga Departamenti i Administratës Publike dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë janë evidentuar disa problematika. Sipas relacionit, ligji aktual nuk është në përputhje me zhvillimet dhe ligjet e reja të miratuara ndër vite, kryesisht mbi organizimin dhe funksionimin e institucioneve të administratës publike, etj. Mungesa e parimeve ku duhet të mbështeten organet që kanë kompetencë për të caktuar paga, trajtime të tjera financiare dhe përfitime, ashtu si mungesa e kompetencës për të miratuar disa lloje të tjera të trajtimeve financiare dhe përfitime për të punësuarit në administratën publike, përveç pagave dhe shpërblimeve për rezultate në punë, renditet si tjetër faktor. Paqartësia e përkufizimeve në lidhje me fushën e veprimit të ligjit, paqartësia e kompetencave për secilin organ, paqartësia e faktit se si fillon iniciativa për përgatitjen e projektvendimeve të Këshillit të Ministrave për të përcaktuar pagat, paqartësia e institucioneve propozuese për projektaktet ligjore apo nënligjore për pagat dhe trajtime të tjera financiare, si dhe mungesa e kompetencës së Këshillit të Ministrave, që edhe në raste kur nuk ka iniciativa për rritje të pagave në kuadër të reformave në këtë fushë, të mund të bëhet indeksimi i pagave për shkak të indeksimit të çmimeve, etj renditen si arsye për domosdoshmërinë e hartimit të një ligji të ri. Në këto kushte, nga ana e qeverisë është gjykuar që ligji aktual të shfuqizohet dhe të hartohet e miratohet një ligj i ri, me synimin e krijimit të një kuadri rregullator të plotë e të qartë, jo vetëm për kompetencat në fushën e pagave dhe të shpërblimeve, por edhe të trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike për ta bërë administratën publike më tërheqëse për specialistët, ekspertët dhe menaxherët më të mirë, si dhe për të stimuluar performancën, inovacionin dhe konkurrueshmërinë. Në projektligjin që propozohet janë përfshirë përkufizimet për institucionet apo njësi të tjera organizative të administratës publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e institucioneve apo ligjin e buxhetit; është përcaktuar qartësisht që tashmë ky ligj do të rregullojë kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe trajtimeve vetëm për të punësuarit në administratën publike, me përjashtim të pagës minimale në shkallë vendi e cila do të jetë e detyrueshme edhe për sektorin privat (me ligjin aktualisht në fuqi kishte përcaktime edhe për persona të tjerë juridikë apo fizikë, vendas apo të huaj). Përfshihen për herë të parë parimet mbi bazën e të cilave duhet të përcaktohen pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet, gjë që mungon në ligjin aktualisht në fuqi. Është përcaktuar procedura se si ndërmerret iniciativa për të hartuar një projektvendim të Këshillit të Ministrave për pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet, gjë që mungonte në ligjin aktualisht në fuqi, e që ka krijuar probleme interpretimi në këtë drejtim Janë shtuar kompetenca të reja, për të cilat kishte boshllëk ligjor, nëpërmjet të cilave përcaktohen që të punësuarit në administratën publike përveç pagës dhe shpërblimeve, do të kenë të drejtë edhe për trajtime të tjera financiare dhe përfitime të tjera. Njëkohësisht është shtuar kompetenca e Këshillit të Ministrave për të miratuar indeksimin e pagave, sipas indeksit të çmimeve të përllogaritur nga INSTAT, gjë që mungonte në ligjin aktualisht në fuqi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments