Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha se, “programi i kodimit do të afrojë më shumë të rinjtë me tregun e punës”. Duke marrë fjalën në takimin, për promovimin e projektit të Kodimit, Muzhaqi vuri në dukje se edhe krijimi i kurseve të trajnimit profesional në këtë sektor është një vlerë e shtuar në aftësimin e të rinjve me tregun e punës. “Kushdo që do të njohë më shumë botën e teknologjisë, apo kushdo që ka studiuar për teknologji dhe do t’i zhvillojë më tej njohuritë e tij, por dhe cilido që ka vendosur të ndryshojë karrierën e tij drejt teknologjisë, mund të përfshihet në këto trajnime profesionale, që janë të certifikuara ndërkombëtarisht dhe njihen kudo në botë”, u shpreh Muzhaqi. Ajo ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e projektit të Kodimit si një ndër alternativat më të mira që u ofron të rinjve një aftësim të ri për tregun e punës, që u garanton të rinjve punësim cilësor dhe paga të larta. Ministrja Muzhaqi tha se mbështetja për të rinjtë do të variojë nga 150 mijë lekë deri në 300 mijë lekë, ndërsa do të ketë subvencionim me 200 mijë lekë edhe për përshtatjen e kurseve për të rinjtë me aftësi të kufizuara, teksa njoftoi shpalljen e thirrjes së parë për të gjithë të rinjtë që duan të marrin pjesë në Programin e Kodimit, i cili çelet nga qeveria shqiptare si një derë e re e së ardhmes për të rinjtë, ndërsa aplikimi kryhet në e-Albania. Në këtë event prezantues të programit morën pjesë të rinj të cilët ndanë eksperiencat e tyre të suksesshme pas kursit të kodimit, shumë prej të cilëve menjëherë pas kursit kanë filluar punë në kompani prestigjioze në fushën e teknologjisë, si Lufthansa. ATSH