Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se Kalaja e Rozafës, mbetet një nga destinacionet turistike më të vizitueshme në të gjithë Shqipërinë, ku deri më tani ka pritur 80.000 vizitorë. “Një tregues i mirë, që ky sit mbetet një nga destinacionet më të vizituara në të gjithë Shqipërinë, por edhe si detyrë e jona për t’u kujdesur fort për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e për të vazhduar punë të bukura përpara për promovimin e turizmit përmes thesareve të trashëgimisë”, shkruan në një postim në rrjetet sociale DRTK Shkodër. Shkodra është një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje. Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare.https://ata.gov.al/2022/09/28/80-mije-vizitore-ne-kalane-e-rozafes/