Muzeu Arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, do të restaurohet. “Me mbylljen e sezonit turistik, gjatë të cilit Muzeu arkeologjik i Durrësit ishte një nga qendrat më të vizituara dhe aktive, falë programit “EU4Culture” ky muze do t’i nënshtrohet restaurimit dhe muzealizimit, për t’u shndërruar në qendrën model që dëshmon historinë, pasurinë tonë arkeologjike me gjuhën e kohës”, bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale. Margariti u shpreh se muzeu do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit që vjen. Muzeu Arkeologjik në Durrës, gjatë muajve janar-gusht të këtij viti është vizituar nga një numër i lartë turistësh vendas e të huaj. Muzeu Arkeologjik u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi, i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake. Objektet e para u vendosën në një vilë dykatëshe, duke ekspozuar ato artefakte që ishin zbuluar deri në atë kohë nga nëntoka e zonës së Durrësit. Por gjatë viteve, godina e Muzeut Arkeologjik ka ndryshuar disa herë vendndodhjen e saj. Sot muzeu ndodhet tek Rruga Taulantia, afër Vollgës. Ka mbi 2 mijë objekte që nga Prehistoria e deri në shek. IV pas Krishtit. Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë e historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer ndër muzetë më të vizituar në vend.https://ata.gov.al/2022/09/26/mbyllet-muzeu-arkeologjik-ne-durres-do-ti-nenshtrohet-restaurimit/
Muzeu Arkeologjik në Durrës, do t’i nënshtrohet restaurimit
RELATED ARTICLES