Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTRestaurimi i Muzeut Etnografik të Krujës

Restaurimi i Muzeut Etnografik të Krujës

Muzeu Etnografik i Krujës është një tjetër destinacion i trashëgimisë sonë kulturore ku ka nisur restaurimi dhe muzealizimi i tij, për t’u kthyer shumë shpejt në një qendër të vizitueshme nga turistët. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për restaurimin e këtij muzeu, i cili pritet të përfundojë së shpejti. Rama tha se “procesit të restaurimit i janë bashkuar edhe një grup specialistësh dhe studentë nga Instituti për Konservim i Universitetit të Arteve në Vjenë që bashkë me zejtarët shqiptarë do të rijetësojnë historinë shekullore të këtij muzeu”. Specialistët dhe studentët po punojnë së bashku për të pastruar dhe konsoliduar artefakte që do të shfaqen më vonë në muzeun e restauruar. Muzeu është një nga disa objekte të trashëgimisë kulturore që po restaurohen në kuadër të projektit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës. Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është Monument Kulture i Kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70, deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989.https://ata.gov.al/2022/09/21/restaurimi-i-muzeut-etnografik-te-krujes-shume-shpejt-i-vizitueshem-nga-turistet/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments