Wednesday, November 27, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTDuam të parakalojmë Ferrarin

Duam të parakalojmë Ferrarin

Toto Volf shpreson që “Mercedes”-i ta luftojë deri në fund me “Ferrari”-n për vendin e dytë në garën e konstruktorëve në Botërorin e këtij viti në Formula 1, pasi skuadra e tij grumbulloi maksimumin e pikëve në Çmimin e Madh të Italisë, një pistë që, sipas tij, nuk i shkon për shtat 8-herë “kampionëve të botës”. Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll e nisi fundjavën në Monza me ritmin e makinave të “Ferrari”-t dhe “Red Bull”-it, por në fund i mbylli provat e lira dhe më pas ato zyrtare thuajse një sekondë e gjysmë në prapa vendit të parë. Por në ditën e garës, Rasëll shfrytëzoi një numër ndëshkimesh në nisje të rivalëve, duke e shndërruar nisjen nga vendi i dytë në një tjetër vend në podium, kurse Hemiltoni marshoi nga vendi i 19-të, deri në atë të 5-tin në finish dhe duke i shtuar pikë të tjera të vyera në renditje “Mercedes”-it. “Mendoj se ishte e qartë që ishim në një pistë që nuk na shkon për shtat, pasi ishim dukshëm të 3-tët sa i përket ritmit, kështu që vendi i 3-të dhe i 5-të ishin maksimumi që mund të merrnim”, – ka deklaruar Toto Volfi, duke reflektuar mbi fundjavën e shkuar. “Sa i përket Hemiltonit, ishte kënaqësi ta shihje, edhe pse e nisi ngadalë dhe pati trafik përpara, por, kur gjeti hapësirë dhe gomat erdhën në kushtet e duhura, ai ishte shumë i shpejtë”, – shtoi kreu i skuadrës gjermane, duke folur për 7-herë “kampionin e botës”. Pasi e ka marrë veten pas problemeve që pati në fillim të sezonit dhe teksa kanë mbetur edhe 6 gara deri në fund, “Mercedes”-i është tashmë vetëm 35 pikë pas “Ferrari”-t të vendit të dytë në renditjen e konstruktorëve. Dhe me pistat në vijim që i shkojnë më tepër për shtat makinës “Ë13” të “Mercedes”-it, Toto Volfi nuk e fsheh se pret me ngazëllim të shohë nëse skuadra e tij mund ta parakalojë rivalen gjermane në etapat e fundit të këtij sezoni. “Mendoj se gjithçka është në lojë, por ne duhet thjesht të bëjmë më të mirën tonë çdo fundjavë dhe do të shohim nëse do t’ia dalim të marrim vendin e dytë”, – theksoi ai. I pyetur vendi i dytë do të ishte në njëfarë mase një “ngushëllim” në një sezon shqoftë të vështirë, Toto Volfi u përgjigj. “Mbase pak, por nuk na ngushëllon fakti që jemi plot 30 sekonda prapa kryesuesëve dhe ky është hendeku që ne duhet ta ngushtojmë.”https://sport.rtsh.al/artikull/toto-volf-duam-te-parakalojme-ferrarin

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments