Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me bashkinë e Pogradecit, kanë përgatitur një ekspozitë mbi figurën e Dhimitër Paskos, të njohur gjerësisht me emrin e artit si Mitrush Kuteli.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të përvjetorit të lindjes së themeluesit të prozës moderne shqipe.
Publiku do të ketë mundësinë të marrë pjesë në prezantimin e dokumenteve arkivore që hedhin dritë mbi veprimtarinë letrare të Paskos, si edhe mbi profilin e tij në rolin e ekonomistit dhe të bankierit.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, të cilat janë pjesë e pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjenden: krijimet “Balta Shqipëtare”, “Natë vjeshte” (dhjetor 1944), “Kënga e biçikletës” (shkurt 1944), “Do desha të vdes” (mars 1946) etj.
Gjithashtu publiku do të mund të shohë publikimet në faqet e Revistës Letrare, siç janë: “I vdekuri dhe i gjalli” (shkurt 1944), “Poemi i Shëndaumit” (maj 1944), “I pasuri që ish i varfër fort” (korrik 1944).
Ekspozita përmban edhe kartolina që Mitrush Kuteli i dërgonte Lasgush Poradecit, analiza të veprës së poetit “Ylli i zemrës”, botuar në kujdesin e Kutelit si dhe dokumente me anë të të cilave Kuteli kërkonte rehabilitimin e figurës së tij: kërkesë e Kutelit drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu për leje krijimtarie dhe letra e Shehut drejtuar ministrit të Arsimit dhe të Kulturës, Manush Myftiu, për akordimin e lejes së kërkuar.
Një tjetër material i AQSH është emërimi i Paskos si konsulent teknik prej Komitetit Ekzekutiv të Bankës Kombëtare; analiza ekonomike e Paskos mbi çmimet në Shqipëri dhe pasuritë natyrore të Kosovës të shfrytëzuara nga italianët.https://ata.gov.al/2022/09/13/materiale-arkivore-ne-ekspoziten-e-kutelit-ne-pogradec/