Numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka ardhur në rritje gjatë këtyre muajve në Muzeun Historik Kombëtar. Në një postim në rrjetet sociale, Muzeu rendit arsyet përse ka ardhur në rritje ky interesim duke vënë theksin tek fakti që MHK është kthyer në një qendër shumëfunksionale. Në Muzeun Historik Kombëtar, jo vetëm mirëpriten vizitorët e shumtë, diskutohet e debatohet për fakte, dorëshkrime, relikte, dëshmi dhe objekte të ndryshme, por organizohen edhe veprimtari përkujtimore për historinë e vendit, si dhe konferenca të mirëfillta shkencore. Fondi i pasur i MHK është një tjetër faktor që sjell numër të madh vizitorësh. Dhjetëra mijëra objekte, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, të cilat përbëjnë thesarin e këtij muzeu, janë në dispozicion të vizitorëve vendas e të huaj, por sidomos të nxënësve të shkollave, sipas programeve të bashkëpunimit me institucionet e arsimit parauniversitar. Përveçse është institucion ku ruhen objekte me vlera të rralla dhe unikale që dëshmojnë historinë dhe trashëgiminë tonë, MHK është gjithashtu edhe qendër shkencore e studimore, duke luajtur rol thelbësor në jetën kulturore dhe shoqërore të vendit. Muzeu Historik Kombëtar është i hapur për të gjithë të apasionuarit dhe për ata që interesohen për të shkuarën e largët dhe të afërt, veçanërisht për historinë tonë shumëshekullore.https://ata.gov.al/2022/08/25/vizitore-te-shumte-ne-muzeun-historik-kombetar/
Vizitorë të shumtë në Muzeun Historik Kombëtar
RELATED ARTICLES