Vendimi parashikon një sistem kontrolli të vazhdueshëm nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, duke përfshirë të gjitha fazat e aktivitetit, nga importi i farërave dhe kultivimi deri te prodhimi, magazinimi, transporti, eksporti dhe asgjësimi.
Sipas vendimit, kontrollet do të bazohen në analizën e riskut, të dhënat e regjistrit kombëtar, raportimet e subjekteve dhe historikun e përputhshmërisë me kushtet e licensës.
Një nga elementet e parashikuara është mundësia e kryerjes së kontrolleve të papritura, kur ka dyshime për shkelje, mospërputhje mes gjendjes faktike dhe të dhënave të regjistruara, mungesë raportimi apo incidente që cenojnë sigurinë.
Mbikëqyrja do të realizohet në terren, në distancë ose në mënyrë të kombinuar, përmes sistemeve elektronike, kamerave të sigurisë, sensorëve, mjeteve ajrore pa pilot dhe imazheve satelitore.
Punonjësit e autorizuar do të kenë të drejtë të hyjnë në ambientet e prodhimit, të kontrollojnë dokumentacionin dhe sistemet elektronike, të kryejnë fotografime e filmime dhe të marrin mostra për analiza.
Në rast pengimi të kontrolleve, hyrja në ambientet përkatëse mund të realizohet me mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Agjencia do të rivlerësojë kushtet e licensës ose lejes të paktën një herë në tre vjet, si dhe sa herë që evidentohen ndryshime apo incidente që kërkojnë verifikim.
Në rast se subjekti nuk përmbush kushtet thelbësore ose nuk zbaton masat korrigjuese, Agjencia mund të propozojë pezullimin ose shfuqizimin e licensës apo lejes.
Për fazën e korrjes, subjektet do të duhet të njoftojnë Agjencinë të paktën 15 ditë përpara datës së planifikuar.
Pas korrjes, sasia e materialit dhe loti përkatës duhet të regjistrohen menjëherë në sistem. Materiali nuk mund të kalojë në fazën e tharjes, përpunimit, prodhimit, shitjes apo eksportit pa regjistrimin dhe verifikimet përkatëse.
Kontrollet do të përfshijnë gjithashtu kushtet e tharjes dhe përpunimit, temperaturën, lagështinë, higjienën, paketimin, etiketimin dhe ruajtjen e produkteve.





