Sipas vendimit, regjistri do të jetë pjesë e Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror dhe do të shërbejë për identifikimin, referimin, menaxhimin dhe monitorimin e rasteve të fëmijëve që janë ose referohen për kujdes alternativ në familje.
Regjistri do të përmbajë të dhëna dhe dokumentacion lidhur me fëmijët, familjet kujdestare, llojin dhe kohëzgjatjen e kujdesit, vendimet administrative dhe gjyqësore, planet individuale të kujdesit dhe mbrojtjes, raportet e monitorimit dhe vlerësimit, si dhe historikun e rasteve.
Shërbimi Social Shtetëror do të jetë përgjegjës për administrimin funksional të regjistrit, cilësinë dhe përditësimin e të dhënave, si dhe menaxhimin e profileve dhe niveleve të aksesit. Ndërkohë, njësitë e vetëqeverisjes vendore do të regjistrojnë dhe përditësojnë të dhënat për rastet në juridiksionin e tyre.
Të dhënat do të duhet të hidhen dhe përditësohen në kohë reale ose, sipas rasteve, jo më vonë se 7 ditë pune nga miratimi i vendimeve apo zhvillimeve përkatëse.
Regjistri parashikohet të ndërveprojë edhe me sisteme të tjera shtetërore, përfshirë Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, sistemet e sigurimeve shoqërore, Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare, Regjistrin Tregtar dhe sisteme të tjera përkatëse, vetëm në masën e nevojshme për verifikimin dhe administrimin e rasteve.
Njësitë për mbrojtjen e fëmijëve do të kenë akses për administrimin e rasteve që mbulojnë, ndërsa strukturat rajonale dhe qendrore do të kenë akses për monitorim, analizë dhe gjenerim raportesh në nivelin përkatës.
Çdo përdorues do të pajiset me kredenciale individuale dhe çdo hyrje, konsultim, regjistrim, ndryshim apo shkarkim i të dhënave do të regjistrohet automatikisht në sistem, duke garantuar gjurmueshmërinë e veprimeve.
Të dhënat administrative dhe të menaxhimit të rastit do të ruhen për 30 vjet nga përfundimi i shërbimit, por jo më pak se 25 vjet nga mbushja e moshës 18 vjeç nga fëmija. Ndërsa të dhënat që lidhen me origjinën, identitetin dhe historikun familjar, si dhe të dhënat për raste të rënda të mbrojtjes së fëmijës, parashikohet të ruhen për 100 vjet nga data e lindjes së fëmijës.
Vendimi parashikon gjithashtu trajnimin e personave përgjegjës për përdorimin e sistemit, hedhjen dhe përditësimin e të dhënave, përpunimin e raporteve, dokumentimin profesional të rasteve dhe mbrojtjen e të dhënave personale.





