Lesley University e vlerësoi Eliza Dushkun si një shembull të fuqishëm të transformimit personal dhe përkushtimit për t’i shërbyer shërimit të komunitetit.
Dushku, e cila ka prejardhje shqiptare, u bë e njohur që në moshë të re në industrinë e filmit amerikan. Ajo fitoi famë ndërkombëtare me rolin e saj si Missy në filmin kult të viteve 2000, “Bring It On”. Më pas, aktorja zgjeroi karrierën e saj me role në filma të zhanrit thriller dhe horror, përfshirë “Wrong Turn”, si edhe me prezencë të vazhdueshme në televizion. Eliza Dushku u tërhoq nga karriera filmike në moshën 33-vjeçare.
“Kthimi në Lesley për t’u folur të diplomuarve të këtij viti dhe për të marrë këtë njohje nga profesorët dhe mentorët që ndihmuan në formësimin e atij udhëtimi, ishte mrekullisht emocionuese dhe diçka që do ta mbaj me vete për një kohë të gjatë. Sigurisht që sot ka një nevojë të vërtetë në botë për njerëz të kujdesshëm dhe të dhembshur, të gatshëm të ulen vërtet pranë njëri-tjetrit dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin”, u shpreh Eliza Dushku.





