Studiuesit kanë zbuluar një rrjetë gjigante merimangash në një shpellë sulfurore në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë me mbi 111 000 merimanga, sipas livescience.com.

Kolonia e jashtëzakonshme përbëhet nga një rrjetë kolosale në një zonë të errët të shpellës, e cila shtrihet 106 metra katrorë përgjatë murit të një kalimi të ngushtë me tavan të ulët pranë hyrjes së saj.

“Kjo është prova e parë e sjelljes koloniale në dy lloje të zakonshme merimangash dhe ka të ngjarë të përfaqësojë rrjetën më të madhe të merimangave në botë”, tha autori kryesor i studimit Istvan Urak.

”Megalopoli” i merimangave ndodhet në Shpellën e Squfurit, një shpellë që u zbraz si shkak i acidit sulfurik të formuar nga oksidimi i sulfurit të hidrogjenit në ujërat nëntokësore.

Në këtë koloni jetojnë dy lloje merimangash: Tegenaria domestica, e njohur si merimanga e shtëpisë, dhe Prinerigone vagans.

Gjatë vizitës së tyre në shpellë, Urak dhe kolegët e tij vlerësuan se kishte rreth 69 000 ekzemplarë T. domestica dhe më shumë se 42 000 ekzemplarë P. vagans.

“Kolonia e merimangave të shpellës sulfurore është një nga më të mëdhatë e dokumentuara ndonjëherë, dhe speciet e përfshira nuk dihej më parë se mblidheshin dhe bashkëpunonin në këtë mënyrë”, tha Urak.

Të dhënat molekulare treguan gjithashtu se merimangat brenda shpellës ishin gjenetikisht të ndryshme nga lloji i tyre që jetonin jashtë, duke sugjeruar që merimangat brenda në shpellë janë përshtatur me mjedisin e tyre të errët.

“Është e rëndësishme të ruhet kolonia, pavarësisht sfidave që mund të lindin nga vendndodhja e shpellës midis dy shteteve”, tha Urak