Një zbulim në veriperëndim të Kenias sugjeron se njerëzit e parë, para rreth 2,75 milionë vitesh, ishin shpikës, sipas BBC.

Në vendin arkeologjik të quajtur Namorotukunan, studiuesit gjetën se njerëzit primitivë përdornin vazhdimisht vegla guri për një periudhë prej 300 000 vitesh.

Kjo tregon se përdorimi i veglave nuk ishte rastësor apo i shpejtë, siç mendohej më parë.

Zbulimi  është i pari që tregon se kjo teknologji është transmetuar brez pas brezi për mijëra vite.

Profesor David Braun nga universiteti ”George Washington” tha se kjo tregon një ndryshim radikal në kuptimin tonë mbi evolucionin njerëzor, duke treguar një vazhdimësi të sjelljes që më parë nuk mendohej e mundur.

Gjatë 10 viteve të punës në Namorotukunan, arkeologët zbuluan 1 300 copa të mprehta, gurë goditës dhe bërthama guri, të punuara me kujdes duke goditur gurët nga shtrati i lumit. Këto përfaqësojnë teknologjinë e njohur si ”oldowan”, metoda e parë e njohur për prodhimin e veglave guri.

Sipas Dan Palcu Rolier nga Universiteti i Sao Paulos, shumë nga gurët ishin zgjedhur posaçërisht për cilësinë e tyre, duke treguar se krijuesit e tyre ishin të aftë dhe dinin saktësisht çfarë kërkonin. Disa nga veglat ishin aq të mprehta sa mund të prisnin gishtat e studiuesve.

Ndryshimet e mjedisit, nga lagështia e lartë e moçaleve te shtrirjet e thata dhe zjarret e shpeshta, nuk penguan banorët e hershëm të Turkanas. Veglat iu mundësuan atyre të mbijetonin duke ndryshuar mënyrën e marrjes së ushqimit, pa pasur nevojë të përshtateshin biologjikisht.

Ky zbulim tregon se njerëzit e parë nuk prisnin evolucionin për të përballuar sfidat mjedisore, por përdornin teknologjinë për të kontrolluar botën përreth.

Veglat u mundësuan atyre të hapnin kafshë dhe të gërmonin për bimë, duke siguruar ushqim të ndryshëm sipas nevojës.