Qeveria ka vendosur të subvencionojë prodhimin e grurit në vend, në këtë periudhë të vështirë për shkak të luftës në Ukrainë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha sot në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë se, “në kushtet e ndryshimit të madh dhe dinamik të çmimit të grurit dhe vendosjes së ndalimit të eksportit të tij nga shumë vende, qeveria ka ndjekur me vëmendje në vijim situatën e prodhimit të grurit në vend dhe furnizimit të rregullt me grurë në javët dhe muajt që do të vijnë”. “Mund të raportoj që prodhimi i këtij viti i grurit në vend ka qenë në normat historike të tij duke arritur të prodhojmë në vend përafërsisht 225 mijë tonë grurë, apo gjysmën e sasisë që konsumojmë”, u shpreh ministrja. Krifca deklaroi se, me vendimin e miratuar sot, Qeveria Shqiptare ka vendosur për herë të parë një fond prej 500 milionë lekë që synon rritjen e sasisë së grurit të prodhuar në vend. Përmes kësaj mase, kultivuesit e grurit me sipërfaqe mbi 1 ha, që janë edhe prodhuesit kryesor që dalin në treg, do të përfitojnë një mbështetje prej 30 000 mijë lekë për hektarë. “Nga kjo skemë do të përfitojnë mbështetje rreth 7300 fermerë dhe përmes saj synojmë të rrisim sipërfaqen e kultivuar me grurë në vend me 17 mijë ha, duke synuar ta çojmë sipërfaqen e kultivuar me grurë për vitin që vjen në 70000 ha në total. “Me këtë skemë mbështetje synojmë të dyfishojmë prodhimin e grurit në vend që prodhohet për tregtim nga 60 mijë tonë në 120 mijë tonë. Të treja këto masa të marra së bashku, mbështetja me naftë, skema e veçantë për rritjen e sipërfaqes së mbjellë me grurë dhe angazhimi për funksionimin e lirë të tregut të furnizimit me grurë në vendet e Ballkanit te Hapur forcojmë ndjeshëm rezistencën e vendit ndaj çdo goditje të zinxhirit furnizues me grurë si pasojë e luftës”, deklaroi Krifca.http://ata.gov.al/2022/07/29/qeveria-500-milione-leke-subvencionim-per-prodhuesit-e-grurit/
500 milionë lekë subvencionim për prodhuesit e grurit
RELATED ARTICLES