Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural organizoi në Tiranë një tryezë diskutimi mbi “realizimin e një sistemi ushqimor të sigurt, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për njerëzit”, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, FAO, ekspertë të fushës dhe shoqërisë civile. Nën logon “Dialog Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sistemeve Ushqimore në Shqipëri”, takimi vuri theksin, në krijimin e një platforme për politikëbërësit kryesorë, akademinë, biznesin dhe udhëheqësit e shoqërisë civile për të kontribuar në transformimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të sistemeve tona globale të ushqimit. Zv/ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici, tha se, “për MBZHR kjo politikë konsiderohet hap kyç në njohjen e faktit se siguria e ushqimit, ushqimi i kafshëve, shëndeti i bimëve dhe kafshëve është jetike për rritjen dhe transformimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri dhe mund të kontribuojë pozitivisht në integrimin e Shqipërisë në tregjet rajonale, tregjet e Bashkimit Evropian dhe ato ndërkombëtare”. MBZHR, UNIDO dhe FAO po punojnë së bashku në transformimin e sistemeve agroushqimore dhe zinxhirët e vlerës së agrobiznesit, veçanërisht përmes programit global të Përshpejtuesit të Transformimit të Sistemeve Agroshqimore dhe në krijimin e vendeve të punës në zonat rurale për të rinjtë me fokus në bujqësi dhe agrobiznes. Pjesëmarrësit nënvizuan se, mbrojtja e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, shëndetit të bimëve dhe shëndetit të konsumatorëve rrit konkurrencën e produkteve agroushqimore shqiptare si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Sipas tyre, për të siguruar një politikë progresive të sigurisë agroushqimore, duhet të merren parasysh faktorët kryesorë të politikave brenda Shqipërisë dhe globalisht. atsh