Afati i aplikimit për pranim në Policinë e Shtetit, për 400 funksione të rolit bazë, për Patrullë të Përgjithshme është shtyrë deri më datën 5 shtator

Policia e Shtetit njoftoi sot se, në numrin e kuotave për konkurrim, 50% e kuotave do të jenë për shtetaset femra, të cilat pas përfundimit me sukses të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, do të emërohen në strukturat e Kufirit dhe Migracionit.

Policia bën të ditur se ka të drejtë të aplikojë pranë drejtorive vendore të Policisë ku ka vendbanimin e përhershëm çdo shtetas qe plotëson kriteret; të jetë shtetas shqiptar; të jetë jo më shumë se 30 vjeç; të jetë me gjatësi jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat; të ketë mbaruar arsimin e mesëm; të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën; të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur; të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B; të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit.

Shtetasit qe shprehin dëshirën për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, përkundrejt tarifës se aplikimit, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të Policisë, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me dokumentacionin: formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e Policisë; fotokopje të kartës së identitetit; diplomë të shoqëruar me listë notash që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (të noterizuara); fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; certifikatë e gjendjes gjyqësore (nxirret nga struktura policore ku kryen aplikimin); certifikatë familjare (nxirret nga struktura policore ku kryen aplikimin); vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale; vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale; vërtetim nga struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; mandat-pagesa e tarifës së aplikimit.