Tirana dhe Vllaznia janë përballur të premten me njëra-tjetrën në Stadiumin “Selman Stëtmasi” të kryeqytetit, që ka ngritur edhe siparin e javës së 3-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Dhe pjesa e parë e përballjes së mbiquajtur si “Klasikja” historike e topkëmbës shqiptare, ka patur dy tablo, teksa në gjysmën e parë të saj, kanë qenë bardheblutë që kanë mbizotëruar, madje kuqeblutë u janë falur instikteve të Zogoviçit që ka mbajtur të paprekur rrjetën e portës së tij. Por gjithçka do të ndryshojë në minutën e 22-të, kur Zhivanaj mban me duar brenda në zonë Kainën, duke e penguar teksa ai do dilte i vetëm me portierin dhe rrëzohet. Gjyqtari Jorgji nuk ka dyshime, pasi jep 11-metërsh për Vllazninë dhe karton të kuq për mbrojtësin e Tiranës si lojtari i fundit. Nga pika e bardhë godet saktë me të majtën Herald Marku dhe përshëndet rrjetën, duke i kaluar kështu shkodranët në epërsi. E teksa Tirana kërkon karton të kuq për Bulatoviçin 5 minuta më pas, por Jorgji jep vetëm të verdhë, në minutën e 29-të, është Vllaznia që dyfishon shifrat. Pas një goditje këndi, Kaina krijon hapësirë për veten në zonë dhe nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë. Çerekora e mbetur e pjesës së parë do të shohë të dyja skuadrat të provojnë por nuk do të sjellë gola të tjerë dhe kështu ky 45-minutësh do të mbyllet me epërsinë e dyfishtë të Vllaznisë. 45 minutëshi i dytë do të nisë më mirë për Tiranën, pasi brenda vetëm dy minutash lojë, vjen një harkim nga e i djathta i Hasanit, që gjen Xhixhën dhe ky i fundit nuk gabon me gjuajtjen me kokë, duke çuar topin në rrjetë e rihapur ndeshjen. Madje 3 minuta më pas do të barazohet edhe numri i lojtarëve në fushën e blertë, pasi një ndërhyje e Markut ndaj Deliut u kushton shtrenjtë kuqebluve, sepse mesfushori ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe del nga fusha e lojës i ndëshkuar me të kuq. 40 minutat e mbetura të pjesës së dytë do të shohin të dyja skuadrat të luajnë hapur, edhe nga fakti se kanë nga një lojtar më pak dhe ngacmimet në secilën portë nuk kanë munguar, por herë për meritë të gardianëve përkatës të katërkëndorëve e herë për mungesë të finalizimit, asnjëra prej tyre nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës. Madje, 17 minuta para fundit, goditja e Berishës devijohet nga Zogoviç dhe pastaj topi prek shtyllën horizontale dhe përfundoi jashtë. Përtej 6 minutave shtesë që u bënë 7 dhe rastit të shkuar dëm nga Gurishta dhe një goditjeje të shtyllës në fund nga De Souza, Vllaznia e mbron fitoren 2-1, që është e dyta radhazi në këto 3 javë të para të këtij sezoni, teksa Tirana pëson humbjen e parë.https://sport.rtsh.al/artikull/vllaznia-fitore-karakteri-ndaj-tiranes
Vllaznia, fitore ndaj Tiranës
RELATED ARTICLES