Ndër projektet fituese të festivalit të filmit në Prishtinë, PriFest, është shpallur filmi “Virgjëresha shqiptare” me regji të Bujar Alimanit. Filmi, në kategorinë Bashkëprodhime në Minorancë, mori çmimin Best Balkan Film-Vjosa Berisha Award. Ndërsa aktorja protagoniste, Rina Krasniqi, u shpall si aktorja më e mirë e festivalit për rolin e Luanës, në “Virgjëresha shqiptare”. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe trajton fenomenin e burrneshave shqiptare. Një vajze në Shqipërinë e veriut të viteve`60, pas vrasjes së babait të saj, vendos të sakrifikojë feminilitetin dhe të bëhet burrneshë duke vendosur drejtësinë. Mes luftës për dinjitet njerëzor dhe dashuritë që vihen në provë, vajza përballet dhe me një realitet të egër, të Shqipërisë rurale, të viteve të diktaturës komuniste. Filmi i regjisorit të mirënjohur, Bujar Alimani, ka qenë pjesë edhe e festivaleve të tjera të rëndësishme europiane. Një tjetër projekt me autorësi shqiptare, që u vlerësua në Prifest 14, ishte “The Swedish Club”, me regji të Iris Elezit e Thomas Logorecit, producent Enea Gramo dhe skenar të Aleksandar Manic. Filmi fitoi çmimin Best Pitch. Çmimi Best Director (regjisori më i mirë) shkoi për Kaltrina Krasniqin, për filmin Vera Dreams Of The Sea, bashkëprodhim mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë. Këto çmime u dhanë në edicionin e 14-të të PriFest, i cili ju dedikua themelueses së tij, Vjosa Berisha, e ndarë nga jeta pak kohë më parë.https://ata.gov.al/2022/09/27/virgjeresha-shqiptare-e-bujar-alimanit-fiton-ne-prifest/
“Virgjëresha shqiptare” e Bujar Alimanit fiton në PriFest
RELATED ARTICLES