Meteorologia Tanja Porja ka zbuluar në emisionin ‘Dita Jonë’ në A2 CNN sesi do të jenë kushtet e motit përgjatë ditës së sotme në Shqipëri dhe rajon.
Porja tha se termometri ka shënuar 3 gradë rritje gjatë mëngjesit të sotëm, megjithëse sipas saj, temperaturat vijojnë të mbeten më të ulëta se disa ditë më parë.
Ajo tha gjithashtu se era do të fryjë e lehtë, me drejtim verior dhe veri-lindor gjatë gjithë ditës së sotme, teksa shtoi se në mesditë do të kemi një rritje edhe me 2 gradë të temperaturave.
“Dita do të jetë me diell në pjesën më të madhe të saj. Marsi do të jetë një muaj tranzitor nga dimri në pranverë. Termometri megjithëse ka shënuar 3 gradë rritje mëngjesin e sotëm mbetet në vlera lehtësisht negative, në zonat e thella malore, kryesisht në juglindje të vendit.
Kemi rreth -1 gradë, nga -3 dhe -4 që kishim një ditë më parë. Në zonat e ulëta dhe ato bregdetare dhe kryesisht në bregdetin e Jonit termometri i mëngjesit shënon rreth 9 gradë. Në rang territori maksimumi pritet në 16 gradë celcius.
Orët e natës, por edhe paraditja e sotme vijon me diell thuajse në gjithë territorin. Era do të fryjë fatmirësisht e lehtë, edhe pse me drejtim veri-lindor dhe verior gjatë gjithë ditës së sotme”, tha meteorologia Porja, shkruan A2 CNN.