Sapo lë pas Çorovodën në rrugën nacionale, me male përreth e Tomorin madhështor në njërën anë, syri të zë disa fshatra malorë të krahinës së Skraparit. Për udhëtarët është e vështirë t’i dallojnë, por secili prej këtyre fshatrave ka histori, trashëgimi kulturore dhe shumë mikpritje, siç do e mësonin shumë shpejt ndërsa i drejtohemi Vendreshës së Vogël.

E verdha e gjineshtrave të lulëzuara në kulmin e tyre (zani siç njihet nga banorët) dallohet në çdo shpat e rrugë, ndërsa gjelbërimin nuk e ka topitur asfare vapa që ka nisur tashmë.

Nga rruga, shpati i malit duket i pjerrët dhe i mbuluar aq fort nga pemët dhe shkurret, sa të krijohet përshtypja se nuk mund të ketë shtigje deri atje. Por, në të vërtetë rruga është e shtruar deri pothuajse afër fshatit dhe më pas për 5 minuta arrin edhe në lagjet e brendshme.

Uji i përroit të Vendreshës që rrjedh nga shpatet e Vendreshës 3 (e Malit) mban të gjelbëruar gjithçka, lule, fruta pylli, pemë frutore, shkurre, arat me misër e grurë, me patate e fasule.

Zona e Vendreshës historikisht është ndarë në tri qendra kryesore sipas pozicionit: Vendreshë e Madhe 1, Vendreshë e Vogël 2 dhe Vendreshë e Malit 3.