Fushata synon gjithashtu të sfidojë stereotipet ndaj refugjatëve dhe të nxisë një kuptim më të gjerë të rëndësisë së azilit si një mjet mbrojtjeje për njerëzit që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në këtë kuadër, UNHCR mbështet zgjerimin e mundësive për kthim vullnetar, rivendosje në vende të treta, si dhe akses më të madh në punësim, arsim dhe shërbime shëndetësore, me qëllim që refugjatët të mund të rindërtojnë jetën e tyre me dinjitet.
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë e UNHCR-së, Maya Ghazal, refugjatja e parë siriane që u bë pilote, theksoi rëndësinë e solidaritetit njerëzor dhe mbështetjes ndaj personave të zhvendosur me forcë.
Si pjesë e fushatës globale, UNHCR do të publikojë në platformat digjitale histori refugjatësh, materiale edukative dhe iniciativa ndërgjegjësuese për të ndihmuar të rinjtë të kuptojnë dhe të mbështesin më mirë të drejtën për të kërkuar mbrojtje.
UNHCR u bën thirrje të rinjve, krijuesve të përmbajtjeve dhe liderëve të komuniteteve në mbarë botën të bashkohen në mbrojtje të së drejtës për siguri dhe të kontribuojnë në mbajtjen gjallë të këtij premtimi universal për të gjithë.





