Marrëveshja vë në fokus programin READ dhe komponentin e ri BRIDGE, një nismë e financuar nga AADF, e cila synon të mbështesë universitetet në sigurimin dhe menaxhimin e fondeve për kërkim shkencor, duke rritur kapacitetet institucionale dhe duke afruar ekspertizën e diasporës akademike.

Ky bashkëpunim zhvillohet në linjë me reformat e ndërmarra nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në kuadër të strategjisë “UBT–BOKU 2030”, e cila synon ndërkombëtarizimin, përfshirjen e diasporës dhe rritjen e cilësisë në kërkim dhe mësimdhënie.

Përmes ngritjes së grupeve të përbashkëta të punës, synohet zhvillimi i projekteve konkrete me ndikim në arsim dhe bujqësi, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe të sistemit universitar në vend.

“Marrëveshja e bashkëpunimit është një hap i rëndësishëm drejt lidhjes së potencialit vendas me ekspertizën ndërkombëtare, në funksion të zhvillimit afatgjatë të kërkimit shkencor dhe inovacionit në Shqipëri”, u shpreh rektori i UBT-së Fatbardh Sallaku.