I lindur në Vlorë më 2 shkurt të vitit 1939, Skënder Kamberi mbaroi Liceun Artistik në vitin 1960 dhe më pas vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua në vitin 1965.
Në ato vite ai u kthye në vendlindje, ku bashkë me piktorin Nestor Jonuzi dha një kontribut të veçantë në përhapjen e gjerë të pikturës në qytet.
Piktori Skënder Kamberi konsiderohet si një prej piktorëve më të rëndësishëm shqiptarë, në veprat e të cilit spikasin vlerat, dashuria për artin, njerëzit dhe qytetin e tij të dashur, Vlorën.
Galeria Kombëtare e Arteve, në koleksionin e saj, mban disa punime të Skënder Kamberit, arti i të cilit kapërceu kufijtë shtetërorë.
Piktori ka hapur një sërë ekspozitash në Egjipt, Francë, Angli, Turqi, Itali, Greqi etj.
Ndër veprat e tij veçohen “Demostrata e bukës” (1971), një nga kompozimet më të njohura me temë historike, si edhe “Fshati Kuç”, pikturë impresioniste në vaj e fshatit.





