Notari shqiptar, Gersi Troka fitoi sot medalje ari në Lojërat Botërore Olimpike Speciale që po zhvillohen në Berlin. Gersi Troka arriti të dalë i pari në garën e notit 200 metra stil i lirë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e cilësoi këtë arritje si një arsye më shumë, që vendimi për të përfshirë në ligjin e sportit mbështetjen për “Special Olympics” dhe “Paralympics” të bëhet realitet sa më parë. “Zemra mal për kampionin tonë special Gersi Troka, i cili fitoi medalje ari në not, në Lojërat Botërore Olimpike Speciale në Berlin! Rezultate si këto janë një arsye më shumë që vendimi që sapo kemi marrë për të përfshirë në ligjin e sportit mbështetjen për “Special Olympics” dhe “Paralympics” ta bëjmë realitet sa më parë”, shkroi Kushi në rrjetet sociale. Për medaljen e arit të fituar nga notari Gersi Troka reagoi edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Shumë krenar për ty Gersi Troka, për medaljen e arit në Lojërat Botërore Olimpike Speciale, që po zhvillohen në Berlin. Vendi i parë 200 m stil i lirë. Suksese kampion!”, shkroi Veliaj në rrjetet sociale. atsh