Sipas të dhënave dhe vlerësimit të “Advantage”, interesi për Shqipërinë lidhet veçanërisht me plazhet, kohën relativisht të shkurtër të fluturimit nga Britania e Madhe dhe kostot e pushimeve verore.

Shqipëria ofron një kombinim të bregdetit të Adriatikut dhe Jonit, qyteteve historike, zonave malore dhe peizazheve natyrore, duke krijuar mundësi për pushime në plazh, udhëtime kulturore dhe eksplorim të natyrës.

Riviera Shqiptare, me destinacione si Saranda, Ksamil, Himara dhe Dhërmiu, është ndër zonat më të njohura për turizmin veror, ndërsa Alpet Shqiptare dhe zona të tilla si, Thethi dhe Valbona ofrojnë një alternativë për vizitorët e interesuar për ecje dhe natyrën.

Këtyre u shtohen qytetet historike si Berati dhe Gjirokastra, si edhe destinacione të tjera kulturore e natyrore, duke bërë që Shqipëria të mos kufizohet vetëm te turizmi bregdetar.

“Advantage” nuk ka publikuar një përqindje rritjeje për Shqipërinë, ndaj përfshirja e saj pasqyron vlerësimin e kompanisë për potencialin e vendit në vitin 2027, dhe jo një rritje të raportuar të të ardhurave nga viti në vit.

Vlerësimi është pjesë e përditësimit të “Advantage” për ecurinë e sezonit veror 2026, i cili analizon rezervimet e bizneseve, që bëjnë pjesë në rrjetin e saj në Britani të Madhe.

Të dhënat japin një pasqyrë të tendencave brenda këtij rrjeti dhe nuk përbëjnë një renditje globale të destinacioneve me rritjen më të madhe.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se turistët po i kushtojnë më shumë vëmendje mënyrës se si shpenzojnë buxhetin e pushimeve.

Vlera mesatare e rezervimeve për udhëtime në distanca të shkurtra u rrit me 8% krahasuar me vitin 2025, ndërsa ajo e udhëtimeve në distanca të gjata u rrit me 5%. Edhe rezervimet për pushime familjare shënuan një rritje prej 5% gjatë verës.

Një pjesë e rëndësishme e rezervimeve vijoi të përqendrohej te paketat “all-inclusive”, të cilat përbënin 35% të rezervimeve verore të “Advantage”. Pas tyre renditeshin qëndrimet me fjetje dhe mëngjes, me 25%.

Sipas Julia Lo Bue-Said, CEO e “Advantage Travel Partnership”, turistët po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm në zgjedhjen e kohës dhe destinacionit të udhëtimit.

Pavarësisht rritjes së kostove, pushimet mbeten një prioritet, por turistët po shqyrtojnë më me kujdes kohën e udhëtimit, destinacionin, momentin e rezervimit dhe shpenzimet.

Në zgjedhjet e udhëtarëve për vitin 2027, pritet të ndikojnë edhe ngjarjet e mëdha ndërkombëtare.