Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMITransfertat në euro u rritën me 60% gjatë 2023

Transfertat në euro u rritën me 60% gjatë 2023

Transfertat kombëtare në euro shënuan rritje të lartë vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, për vitin 2023 në sistemin kombëtar të pagesave në euro, (AIPS Euro), u kryen 249 mijë transferta në monedhën europiane. Transfertat në Euro janë rritur me 60% krahasuar me vitin 2022. Në vlerë, transfertat për vitin e kaluar arritën në pothuajse 3.3 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 22%. Megjithëse transfertat ndërbankare në lekë ngelen ende dominuese (veçanërisht pagesat në vlerë të vogël), ritmi i rritjes së tyre ishte më i ulët vitin e kaluar. Kështu, numri i veprimeve në sistemin klerimit të pagesave me vlerë të vogël në Lekë (AECH) vitin e kaluar u rrit me 12% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i transaksioneve në sistemin e pagesave me vlerë të madhe në Lekë (AIPS) pësoi rënie të lehtë me 0.9% krahasuar me vitin 2022. Në vlerë, volume i transaksioneve në sistemin AECH u rrit me pak më shumë se 5%, ndërsa në sistemin AIPS në Lekë edhe vlera e transaksioneve pësoi një rënie të lehtë, me 1.5%. Sistemi AECH proceson pagesat ndërbankare deri në vlerë 1.5 milionë lekë, ndërsa sistemi AIPS Lekë proceson pagesat e mëdha, me vlerë mbi 1.5 milionë lekë. Rritja më e shpejtë e numrit dhe volumit të transfertave në Euro, krahasuar me ato në Lekë mund të jetë një efekt i rritjes së prurjeve valutore në ekonomi dhe veçanërsisht shtim në numrin e transaksioneve të lidhura me turizmin. Ky është tregues i një euroizimi të lartë të pagesave në ekonominë shqiptare. Sistemi i pagesave AIPS Euro filloi funksionimin në janar të vitit 2022, me qëllimin uljen e kostove të transfertave bankare në monedhën europiane. Para ngritjes së këtij sistemi, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në Lekë. Komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments