Menaxhimi i krizave ushqimore dhe komunikimi për konsumatorët ishte në fokus të trajnimit të kryer nga EFSA (Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore) me përfaqësi nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, (AKU) njofton se, në këtë trajnim u përfshinë vende, përfituese nga fondet IPA, mekanizma mbështetës nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova edhe Turqia që janë në procesin e paraanëtarësimit në familjen evropiane. Nga Shqipëria në këtë trajnim morën pjesë specialistë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, si dhe nga Shëndeti Publik. Mënyrat e trajtimit të krizave ushqimore ndërmjet EFSA dhe vendeve anëtare të BE-së ishin modelet e trajtuara gjatë trajnimit, ndërsa vend të rëndësishëm zuri edhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre institucioneve lider evropiane, gjatë një incidenti të sigurisë ushqimore dhe ushqimit për kafshë. Gjithashtu u vlerësua rëndësia që ka sistemi RASFF dhe INFOSAN në shkëmbimin e shpejtë të informacionit, bashkëpunimin ndërmjet vendeve për mospërhapjen e mëtejshme të krizave ushqimore. Gjatë trajnimit u prezantuan edhe modelet që përdor Shqipëria në raste incidentesh ushqimore referuar praktikave më të mira evropiane, sa i përket bashkërendimit institucional dhe komunikimit me konsumatorët. ATSH