Teatri i Operas dhe Baletit ka hapur thirrjen për programin e parë profesional muzikor në Shqipëri “Akademia Teatrale”, që do të kontribuojë në mjeshtërinë artistike të talenteve të artit klasik. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka bërë të ditur se, sopranoja shqiptare, me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho do të rikthehet për të kontribuar me një masterclass në çeljen e kësaj akademie. “Me mbështetjen dhe eksperiencën e sopranos ikonike me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, e cila rikthehet në atdhe me titullin “Artistja e Vitit”, akorduar nga “Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023”, për të kontribuar me një masterclass, nga data 14-18 prill, që shënjon edhe çeljen e Akademisë Teatrale 2023”, shkruan ministrja. Margariti informon se, ky është një projekt i ndërtuar mbi bazën e përvojave më të suksesshme ndërkombëtare. “Ky projekt do të ofrojë shumëçka rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, përgatitjes psikologjike për trajtimin e rolit si dhe disa tematika të veçanta e interesante për pjesëmarrësit”, tha Margariti. Për çdo informacion e detaj mbi regjistrimin ju ftojmë të vizitoni WEB-in zyrtar të TKOB-së, ose të kontaktoni në email-in [email protected]. atsh