Fshati Dardhë ndodhet 20 kilometra në juglindje të Korçës dhe shtrihet në lartësinë e 1344 metrave. Ai është tashmë një nga fshatrat turistikë më surprizues në Shqipëri me një potencial zhvillimi turistik gjithnjë e në rritje.
Dardha është e ndërtuar me shtëpi karakteristike të mbuluara me plloça të hirta. Krahas tyre atje gjenden dhe ndërtesa të reja dhe hotele bashkëkohore. Karakteristikë tjetër janë rrugët e shtruara me kalldrëm. Në Dardhë është ngritur dhe funksionon muzeu, që ekspozon historikun dhe trashëgiminë e fshatit.
Investimet e reja turistike, siç është krijimi i resortit të skive në zonën e Nikolicës, e kanë kthyer Dardhën në një destinacion me potencial të veçantë të turizmit korçar.





