Shkencëtarët e konsiderojnë Titanin si analogun më të afërt të Tokës, pasi ai ka një cikël hidrologjik të ngjashëm; metani avullon nga sipërfaqja, formon re, bie si shi, krijon lumenj dhe grumbullohet në liqene e dete, për t’u avulluar më pas sërish.

Ndryshe nga Toka, ky proces zhvillohet shumë më ngadalë dhe reshjet janë të rralla, por mund të jenë tepër intensive.

Pjesa më e madhe e njohurive për Titanin vjen nga misioni “Cassini-Huygens” i NASA-s, Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe Agjencisë Italiane të Hapësirës.

Sonda “Huygens” u ul në sipërfaqen e Titanit, duke dërguar fotografitë e para nga një hënë në Sistemin e Jashtëm Diellor.

Ajo zbuloi lugina të ngjashme me shtretërit e lumenjve dhe gurë të rrumbullakosur prej akulli, të cilët dukeshin sikur ishin transportuar nga rrjedhja të lëngshme.

Detet e Titanit ndodhen kryesisht pranë polit verior.

Më i madhi, Kraken Mare, është më i madh se Deti Kaspik në Tokë dhe në disa zona mund të arrijë thellësi prej disa qindra metrash.

Një tjetër det i madh, Ligeia Mare, përbëhet kryesisht nga metan i lëngshëm, ndërsa lumenjtë, si Vid Flumina, derdhen në të njësoj si lumenjtë tokësorë.

Megjithëse peizazhi i Titanit i ngjan Tokës, kushtet janë krejtësisht të ndryshme.

Temperatura mesatare është rreth -179 gradë Celsius, atmosfera është shumë më e dendur dhe graviteti është vetëm rreth një e shtata e atij të Tokës.

Për këtë arsye, pikat e shiut të metanit bien shumë më ngadalë dhe moti ndryshon me ritëm shumë të ngadaltë.

Interesi për Titanin pritet të rritet edhe më shumë me misionin “Dragonfly” të NASA-s, një mjet fluturues me energji bërthamore që synon të niset rreth vitit 2028 dhe të mbërrijë në Titan në mesin e viteve 2030.

Ai do të eksplorojë zona të ndryshme të sipërfaqes për të studiuar përbërjen kimike dhe për të kuptuar më mirë nëse kjo botë e akullt mund të japë të dhëna mbi origjinën e jetës në Sistemin Diellor.