Fokusi i konferencës së organizuar nga “Protection and Preservation of Natural Environment in Albania” (PPNEA) dhe e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian u vendos te rrëqebulli, ariu, ujku dhe çakalli ndërsa konferenca u organizua menjëherë pas takimit të 7-të të Platformës Dinarik-Ballkan-Pindos (DiBaPi) për mishngrënësit e mëdhenj.
Në konferencë u raportua mbi strategjitë dhe praktikat më të fundit për menaxhimin e habitateve dhe popullatave të mishngrënësve të mëdhenj. Pjesëmarrësit morën pjesë në diskutime dhe takime tematike që fokusohen në dimensionet kulturore, sociale dhe mjedisore, si dhe në sfidat dhe konfliktet që lidhen me menaxhimin e llojeve.
Gjithashtu, pjesëmarrësit morën pjesë në ekskursionin në Parkun Kombëtar Shebenik, një nga zonat e mbrojtura me diversitet të natyrës dhe botës së egër.
Pjesëmarrësit, ekspertë shqiptarë e të huaj sikundër edhe vullnetarë të rinj pjesë e rrjetit të PPNEA patën mundësinë të shohin mënyra inovative për menaxhimin e rreziqeve nga kafshët e mëdha mishngrënëse tek blegtoria dhe bletaria.
PPNEA kishte vendosur gardh elektrik në kosheret e bletëve të një fermeri në zonën e Fushë Studen, pas raportimeve për sulme nga arinjtë në kërkim të ushqimit.
Gardhi mundëson mbajtjen larg të arinjve duke i shërbyer si fermerit ashtu edhe mbrojtjes së këtyre kafshëve.
Në Parkun Kombëtar të Shebenikut jeton popullatë e rëndësishme e ariut të murrmë (Ursus arctos) i dokumentuar me anë të kamerave kurth si një nga mishngrënësit më të mëdhenj, i cili ka gjetur habitatin e përshtatshëm për të jetuar në këtë park.
Po ashtu, në park janë dokumentuar edhe kafshë të tjera si rrëqebulli i Ballkanit, kaprolli, nuselala, ujku, dhelpra dhe të tjera.





