Thethi, i ndodhur rreth 70 kilometra larg Shkodrës, është kthyer vitet e fundit në një nga pikat referuese të turizmit të aventurës dhe natyrës në Shqipëri.
Gjatë ditëve të verës, zona tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh vendas dhe të huaj, të cilët shfaqin interes për pasuritë natyrore, si dhe për trashëgiminë kulturore e historike të kësaj treve.
Ndër atraksionet më të vizituara në Theth dhe zonat përreth janë Syri i Kaltër, vaskat në Ndërlysë, ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, Shpella e Arapit dhe shtegu i Bjeshkëve të Nemuna.
Pasuritë natyrore të zonës ndërthuren me traditat dhe trashëgiminë kulturore e historike të komunitetit vendas, duke përbërë një prej potencialeve kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në Alpet Shqiptare.





