Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti mbulon importin me 15 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2024 kishte vlerën 87,3 milionë euro, ndërsa importi 580,3 milionë euro, që është një rritje prej 8,6 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 10,1 për për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 22,6 për qind thuhet se e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 11,8 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,9 për qind e përbëjnë produktet minerale e 10,5 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,1 për qind e përbëjnë produktet minerale; 13,2 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 12 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,5 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28,2 milionë euro, ose rreth 32,3 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4,5 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania 10,5 për qind, Italia (3,2), Holanda (2,7%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 255,5 milionë euro, ose 44,0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (9,3%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Greqia (5,1%), Italia (4,6%), etj.”, thuhet në raport.

ASK-ja ka publikuar edhe të dhënat për eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s.