Polemikat rreth Srdjan Djokovic vazhdojnë. Babai i ish-numrit një në botë është parë duke valëvitur një flamur me fytyrën e Vladimir Putinit në shoqërinë e disa tifozëve rusë, në fund të ndeshjes mes djalit të tij Novak dhe Rublev. “Familja ime ka përjetuar tmerrin e luftës dhe ne dëshirojmë vetëm paqe”, tha Srdjan Djokovic, duke shtuar se ai nuk do të marrë pjesë në gjysmëfinalen e Australian Open mes djalit të tij dhe amerikanit Tommy Paul: “Nuk kisha ndërmend të shkaktoja tituj apo trazira të tilla. Do ta shikoj ndeshjen nga shtëpia”. Tenistja ukrainase Marta Kostyuk, e cila u eliminua në gjysmëfinalen e dysheve për femra në Australian Open, tha se ishte “shumë tronditëse” të shihje babanë e Novak Djokovic pranë tifozëve duke valëvitur flamujt pro-rusë, “Jam e shqetësuar nga ajo që ndodhi. Nuk ka rëndësi kush jeni, askush nuk ka të drejtë t’i valëvisë ata flamuj. Gjëra të tilla nuk mund të qëndrojnë në hije”. RTSH