Sot shënohet 23-vjetori i emetimit të emisionit të parë të pullave postare të Postës së Kosovës. Posta e Kosovës përmes një komunikate për media njofton se në këtë përvjetor, përpos shënimit të 23-vjetorit të funksionit të mirëfilltë të letër-dërgesave, në aspektin e shtetësisë shënon edhe emetimin e njërit nga simbolet që dëshmon orientimin dhe të ardhmen e shtetit më të ri evropian Sipas njoftimit për shkak të rëndësisë së rolit promovues, përcaktimi i tematikave që trajtohen në kuadër të programit vjetor të pullave postare bëhet nga Komisioni i Pullës Postare, i cili nominohet nga ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. “Përzgjedhjen e punimeve më adekuate në kuadër të punimeve konkurruese nga konkursi për dizajne për pulla postare, po ashtu e bën Komisioni i Pullës Postare”, thuhet në komunikatë. Tutje në komunikatë thuhet se në aspektin operacional, e gjithë veprimtaria e prodhimit dhe emetimit të pullave postare zhvillohet nga Departamenti i Filatelisë, i cili bën të mundur që roli promovues i pullës postare të zhvillohet në të gjitha vendet e botës, përfshirë këtu edhe vendet që akoma nuk kanë bërë njohje zyrtare të vendit tonë. “Rrugëtimi i Filatelisë së Postës së Kosovës e përcjell rrugëtimin e Republikës së Kosovës. Si një nga simbolet e shtetësisë, është e natyrshme që pulla postare ka pasur mundësi të emetohej që nga viti 2000, ndonëse nën monitorimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë deri në shpallje të pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Nga 15 marsi i vitit 2000, kur u emetua emisioni i parë i pullave postare me titullin “Paqe” e deri më sot, Posta e Kosovës, përmes pullave postare, me shumë kujdes ka zhvilluar misionin madhor, atë të prezantimit të Republikës së Kosovës përmes motiveve të pullave postare! Shikuar në aspektin historik, emetimi i pullave postare në trojet shqiptare, krahasuar me vendet e rajonit, është relativisht i periudhës më të re kohore, marrë parasysh që edhe Posta Shqiptare emetimin e parë të pullës postare e ka realizuar në vitin 1913, në të njëjtin vit kur rilindësi e firmëtari i Pavarësisë, njëherësh edhe ministër i qeverisë së parë shqiptare, Z. Lef Nosi, aplikoi për anëtarësim të Shqipërisë në UPU. Sa për ilustrim, Mbretëria e Bashkuar emetimin e parë të pullave postare e ka bërë qysh në vitin 1840, prandaj është e natyrshme që edhe Filatelia, si veprimtari, por edhe si pasion i koleksionuesve, është relativisht e re në trojet shqiptare. Vështirësitë që e kanë përcjellë rrugën zhvillimore të Filatelisë së Kosovës ishin të llojllojshme. Mungesa e anëtarësimit me të drejta të plota të Postës Kosovës në Unionin e Përbotshëm Postar, ka qenë dhe vazhdon të mbetet sfidë në vete. Megjithatë, arritjet e Filatelisë së Postës së Kosovës janë të konsiderueshme. Aktualisht, fondi filatelik numëron 248 emisione të pullave postare me 615 pamje, me vlera të ndryshme nominale. Filatelia e Kosovës tek koleksionistët ndërkombëtarë vlerësohet si shërbim korrekt dhe cilësor, ndërkaq blloku filatelik “Mendo gjelbër” ka zënë vendin e pestë në konkursin për pullën më të bukur “WIPA GrandPrix” në vitin 2016, kurse pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë” është përzgjedhur si pulla më përmbajtjesore në botë në konkursin “San Gabriel” në Veronë, po në atë vit. Përmes pullave postare kemi promovuar trashëgiminë kulturo-historike të vendit tonë, luftën tonë për çlirim, bukuritë e pasuritë natyrore të vendit tonë, të arriturat në kulturë, shkencë dhe sport, diversitetin, shoqërinë tonë civile, e tema të tjera. Do të jemi gjithmonë përkrahës i të gjitha aktiviteteve që janë në shërbim të vendit dhe qytetarëve tanë! Posta e Kosovës, përjetë në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës!”, përfundon komunikata. RTK
Recent Comments
14 Shkurt- Java do të mbyllet me shi, por do të kemi një minipranverë gjatë të enjtes dhe të premtes
on
Bashkia FIER
on
Qarku BERAT
on
Qarku DIBER
on
Qarku TIRANE
on
Qarku KUKES
on
Qarku BERAT
on
Qarku DIBER
on
Bashkia FIER
on
Qarku BERAT
on
Qarku DIBER
on
Qarku TIRANE
on
14 Shkurt- Java do të mbyllet me shi, por do të kemi një minipranverë gjatë të enjtes dhe të premtes
on
Qarku VLORE
on
Qarku KUKES
on
Qarku BERAT
on
Bashkia FIER
on