Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, po vijon të mbështesë dhe të inkurajojë të rinjtë të ndjekin pasionin për bujqësinë dhe zhvillimin rural, duke kontribuar në një të ardhme të qëndrueshme dhe duke mbështetur zhvillimin e sektorit bujqësor të vendit.

AZHBR bën të ditur se, në Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2024, janë mbështetur 6 727 fermerë në moshë të re përmes masave të ndryshme.

Në skemën kombëtare 2024, sipërmarrësit e rinj kanë prioritet dhe përfitojnë një pikëzim më të lartë në vlerësim se kategoritë e tjera.

Ekspertët shprehen se, të rinjtë në bujqësi shihen si katalizatorë të transformimeve të rëndësishme në bujqësi duke e bërë sektorin më të qëndrueshëm, produktiv dhe efikas.

Sipas AZHBR-së, pjesëmarrja e të rinjve ka sjellë ndryshime pozitive, duke ndihmuar në përballimin e sfidave të sektorit, krijimin e sipërmarrjeve të suksesshme dhe përmirësimin e jetesës  në komunitetin rurale

Potenciali i tyre për të përqafuar teknologjinë dhe për të zbatuar praktika të reja bujqësore ndihmon në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit.

AZHBR nëpërmjet skemave të subvencionimit, ka si prioritet mbështetjen e të rinjve në bujqësi duke synuar rritjen e pjesëmarrjes së tyre në sektor edhe për vitet në vijim.